Çaste poetike me poeten:-Elmije AJAZI

Jeta mizore
——————
Më zgjoi jeta si një grusht në fytyrë,
pa më pyetur nëse doja të zgjohem.
Më dha një rrugë të ngushtë, të thyer,
dhe më la zbathur mbi qelqet që thyehen.
Çdo ëndërr që ndërtova, ajo e rrëzoi,
si erë që shuan një qiri në natë.
Çdo buzëqeshje e ktheu në heshtje,
çdo dashuri e preu në mes si tel i këputur.
Unë ec.
Ndonëse më rëndojnë plagët,
ndonëse gjaku më shndërrohet në këngë të hidhura.
Ec, sepse ndalesa është vdekje,
dhe jeta mizore, e do njeriun gjallë
vetëm për ta torturuar më gjatë.
Por mes lotit, mes hirit,
mbin një kokërr drite kokëfortë.
Dhe unë, që kam harruar si qeshet,
mbaj frymën gjallë vetëm për atë fije shprese
që nuk di ta vrasë askush.
Elmije Ajazi
/Qendrapress/