Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

Shalli
—————————
E hodha supeve gjysmëshallin e mëndafshtë,
Në këtë mbrëmje të freskët verore,
Mosha më thirri të rrëmoj në sirtarin e shajeve,
Sytë më mbetën tek mëndafshi ngjyrëmollë.
Në këtë mbrëmje e hodha supeve si stoli,
Rrudhat në ngjyrëmollë të më pudrosë lehtë,
Supet të më përkëdhelë kur fryn puhizë,
Kështu kujtimet më mbajnë ngrohtë.
Ti ndoshta e ke harruar gjysmëshallin tënd,
E kujtimet nuk të ndjekin si gjysmëhija jote,
Të mirat mendime i kthen në gërmadhë,
Dhe brenda gërmadhës i fsheh radhë, radhë.
E prapë gjysmëshalli im ka mbetur ngjyrëmollë,
Po gjysmëshalli yt ka ende xixa?
A xixat të mbetën në duar,
Përdredhur vesit djallëzor.
Nuk më bindet supeve gjysmëshalli sonte,
Rrëshqet e lazdrohet në puhizë kujtimesh,
E prek a më prek e më kthen në mote,
Në këtë mbrëmje të freskët yjesh.
/QendraPress/