Çaste poetike me poeten;- Valbona R.HADRI

Eja
( kushtuar zonjëz D. e cila me sy blu të
përlotur qëndronte në një shtëpi pleqësh)
————————————–
Eja biri im , të të puth në ballë
Në këtë shtëpi me çati malli,
Pa orë buzëqeshjesh,
pa kalendar.
Këtu njerëzit s’flasin, s’ëndërrojnë,
Këtu njerëzit psherëtijnë dhe lotojnë.
Eja biri im, sa jam ende gjallë
Dhe kam ende pak forcë
Të jetoj me ca copëza të kujtimeve të vjetra.
Dua të eci,
Të ndiej tokën nën këmbë,
Kanë kaluar muaj, vite të tëra
Më mungojnë udhëtimet pranë teje.
Më mungon aroma jote.
Një të shtunë, të lutem,
ftoje nënën për kafe.
Ose dërgomë një shportë me
lule të freskëta qershie.
Mos më fol për trishtime,
As për takime të shtyra,
As për trenat e zbrazur të
netëve pa gjumë.
Këtu orët e botës
Prej kohësh janë ndryshkur,
Dhe rojet e vjetër kanë rënë në heshtje.
Eja biri im,
Dhe mos harro
Kur të vish tek unë,
Mos i rrudh mendimet,
As flokët e shkapërderdhura nga era.
Mos u mundo t’i krehësh,
Se zemra ime i kreh me duar e drithërime.
Kur të vish, bëj sikur gjithçka është si dikur,
Si kur kopshti kur mbushej me zëra fëmijësh,
Si kur dielli kur na zgjaste duart mbi dritare.
Eja biri im,
Se edhe në heshtje, nën hijen e mallit,
Ti je drita që s’më shuhet kurrë.
/QendraPress/