Fryma poetike e së dielës me poeten:-Elmije AJAZI

Gushti i Varreve
—————————–
Nuk ka më “Mirë se erdhe, bijë”.
Nuk ka më “Mirë se erdhe, motër”.
Nuk ka më duar që më shtrëngojnë,
as sy që më presin.
Ka vetëm gurë. Gurë të ftohtë.
Gurë që mbajnë mbi vete emrat e shpirtrave të mi.
Erdha prapë.
Erdha si çdo gusht, me mallin si barrë mbi shpinë.
Por portat nuk më pritën si dikur.
Vendi juaj ishte bosh.
Asnjë dritë shpirti.
Asnjë zë zemre.
Vetëm heshtje.
Vetëm mungesë.
Baba…
Doja edhe një herë të më shikoje me sytë që më mbronin.
Nënë…
Doja edhe një herë të më thoshe: “Mos ki frikë, bijë, unë jam këtu.”
Vëlla… shpirt, dritë që më ndriqoje rrugën…
Doja edhe një herë të më qeshje, të ndjeja krahun tënd pranë.
Burrë…
Doja edhe një herë të më thoshe: “Do ia dalim bashkë.”
Por gushti nuk ma solli asnjërin prej jush.
Ma solli veç varret.
Ma solli erën që fryn mbi gurë.
Ma solli boshllëkun që nuk ka fund.
Pushimeve iu erdhi fundi,
por mua më mbeti fillimi i një dhimbjeje tjetër.
Unë nuk e mbyll kurrë gushtin.
Sepse gushti im është i përjetshëm.
Është gusht i mungesës.
Është gusht i varreve.
/QendraPress/