Çaste poetike me poeten;-Marsela NENI

Porta e të dyzetave

——————————

Thonë se të dyzetat janë porta

e një fillimi të ri.

Ajo portë është hapur

dhe unë qëndroj në prag

duke kundruar shtegun e parrahur.

Nuk shqetësohem më se si dukem

në sytë e të tjerëve

jetoj çdo ditë duke zhveshur

komplekset e mia.

Di se sa vlej e nuk rend më

pas lumturisë, pas zhgënjimeve,

si pas aromës së një luleje

që më ka djegur xhanin.

Destini e di se ku banoj

dhe unë armiqtë në shtrat

nuk kam për t’i pritur.

Lutem çdo mëngjes,

sa hap sytë,

për kurajo, forcë e një dozë humori.

Kam pranë njerëzit që dua

e ca dhoma i kam boshatisur

për bekime të reja.

Thonë se të dyzetat janë porta

e një fillimi të ri:

Të jetosh për shpirtin, unë e quaj liri.

QendraPress/