Çaste poetike me poeten;-Natyra MAVRAJ

Liria në shpirt

——————————

Të kesh liri në shpirt nuk ka çmim,

është dhuratë e fshehtë që s’e blen dot askush.

Vitet mund të ta thinjin flokun,

të gdhendin rrudha mbi fytyrë,

por ajo dritë brenda teje mbetet e paprekur.

Liria që u rrite qysh fëmijë,

të mësoi të mos përkulesh kurrë.

Të mësoi se shpirti është kështjellë,

dhe askush s’mund ta rrënojë,

nëse themelet i ka në besim, në të vërtetën.

Ti nuk ndryshove asnjëherë,

mbete gjithmonë e njëjtë,

me zemër të pastër,

me fjalë të forta,

me guxim që s’lodhet.

Edhe kur koha i mori vitet,

ti nuk u mposhte nga heshtja,

as nga rrëmuja e botës.

Në çdo erë, në çdo stinë,

mbete liri e gjallë,

këngë që s’hesht,

flakë që s’shuhet.

Sepse liria nuk është vetëm frymëmarrje,

është mënyra si e do jetën,

si i do njerëzit,

si qëndron e drejtë përballë furtunës.

Dhe ti je dëshmi e saj,

një zemër që di të qëndrojë,

e vërtetë,

e fortë,

e palodhur

/QendraPress/