Ndahet nga jeta, Linda Imami – zëri që na çoi në zemër të Turqisë

Është ndarë nga jeta, Linda Imami, influencere dhe kreatore e njohur shqiptare.
Klankosova.tv merr vesh se ajo ndërroi jetë në moshën 47-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër.
E njohur për energjinë, elegancën dhe përkushtimin ndaj punës, Linda kishte ndërtuar një jetë dhe karrierë të suksesshme në Turqi, ku jetonte prej vitesh.
Ajo u bë e njohur për publikun shqiptar me emisionin televiziv “Qejfi më i madh se Stambolli”, i cili transmetohej në Klan Kosova. Përmes këtij programi, Linda solli intervista me aktorët më të dashur të serialeve turke dhe prapaskena ekskluzive nga produksionet që ndiqen me pasion nga publiku shqiptar.
Përveç televizionit, ajo krijoi edhe një guidë turistike digjitale me emrin “Ask Linda”, një projekt i frymëzuar nga pyetjet dhe kërkesat e ndjekësve të saj, ku ndihmonte shqiptarët të njihnin më mirë bukuritë, kulturën dhe destinacionet më të veçanta të Turqisë.
Linda Imami la pas një trashëgimi të bukur përmes përmbajtjes që krijoi dhe ndikimit pozitiv që pati tek ndjekësit e saj.
Pusho në paqe, Linda!