Çaste poetike me poeten;-Mim MARJANAKU

Grua

————————-

Shoh shpesh një grua sy ulur

në një bar të vogël në periferi.

Se ç’fsheh pas filxhanit

nuk di ta them,

por misterin e saj rrekem ta di.

I duken thinja,

më të shpeshta në temtha.

Në qafën e brishtë,

dikur si sorkadhja,

duken plasaritje

si në muret e bardha.

Dikur do të ketë qenë perëndi,

e bukur, e fortë, e pushtetshme.

Ndoshta prandaj hesht në bar në periferi.

Ndoshta dikur, nën këmbët e bukura,

nenshtronte një perandori.

/QendraPress/