Të gjithë neve që jemi prindër në parim na pengon mungesa eventuale e sigurisë nëpër shkolla!!!Skruan :Agnesa Thaçi KUREJSHI

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën e fëmijës për privatësi si dhe mosndërhyrje në jetën private gjithashtu Kodi i Mediave në Kosovë ndalon publikimin e imazheve apo informatave sepse ato dëmtojnë mirëqenien e fëmijëve e sidomos informacionin për fëmijët e figurave publike. Presidentja mund të jetë figurë publike por vajzat e saj nuk e kanë zgjedhur këtë fakt. Ligjërisht, incizimi dhe publikimi i pamjeve të vajzave të presidentes është i kundërligjshëm dhe bie ndesh me të drejtat themelore për privatësi e siguri të fëmijëve..
Kur flitet për sigurinë e fëmijëve nuk është vetëm çështje politike, por edhe e drejtë themelore e njeriut. Në këtë rast presidentja mund të ndajë përvojën personale (me vajzat e saj) e cila mund të shërbejë si shembull për të ngritur debate publike, por si presidente ajo duhet të ruajë një ton neutral e unifikues për të mos u parë si palë politike ose si dikush që nxit ndarje mes arsimit publik dhe privat. Presidentja ka të drejtë dhe madje edhe detyrë morale të flasë për sigurinë e fëmijëve dhe arsimin, por mënyra se si shprehet është thelbësore, sepse ajo duhet të fokusohet tek zgjidhjet dhe thirrjet për përmirësim e jo tek krijimi i perceptimit se shkollat publike janë të pasigurta në mënyrë të përgjithshme. Në këtë rast shtrohet pyetja pse bash në kohë zgjedhjesh kur çdo mesazh i tillë mund të interpretohet si tentim për të fituar simpati popullore për më tepër si retorikë populiste –narrativë personale në vend të një reagimi institucional përmes inicimit të platformave.
Për aq sa jam pro ruajtjes së mirëqenies së fëmijëve, të them të drejtën këtë rast e vë në pikëpyetje reagimin e saj, sepse mu duk paksa skenik edhe se mund të shkaktojë efekte – panikë edhe te ne ( qytetarët e thjeshtë – dhe jo të privilegjuar) rreth sigurisë në shkolla publike ku vullnetarisht kemi zgjedhur t’i dërgojmë fëmijët tanë.
Duke qenë presidente njerëzit presin që ti të jesh simbol i fuqisë dhe stabilitetit, por kur shfaqesh në publik si nënë e pambrojtur krijon kontrast të fortë emocional, nëse edhe presidentja ndjehet e pasigurt imagjinoni neve qytetarëve të zakonshëm!!!
Meqenëse si grua gjithmonë kam qenë për zhvillimin e grave, i kam duartrokitur gratë me rastin e emërimit në krye të dikastereve të caktuara, uroj që kjo të mos jetë vetëm një skenar banal për të fituar empati në opinionin publik në mënyrë që në kohë zgjedhjesh ta forcojë lidhjen me votuesit.
Unë në këtë rast nga presidentja e vendit tim pres një ton më institucional, sesa një ton që e humb autoritetin e figurës presidenciale si dhe që përcjellë perceptimin se Kosova është vend i pasigurt e çka kjo retorikë dëmton imazhin e vendit tim.
Shpenzoni sa të doni pastaj me fushata për njohje ndërkombëtare…/QendraPress/