Çaste poetike me poeten;-Adifete SHITI

Dua të flas me hënën
————————————-
Se vetëm ajo më dëgjon,
pa më gjykuar,
vetëm ajo më rri pranë
në heshtjen e saj të argjendtë.
Ajo më ndriçon plagët,
i mbulon me dritë të butë,
më shpie mes yjeve,
sikur t’i përkisja qiellit.
Me frymën e saj të ftohtë
ma prek fytyrën,
më shikon lotin që dridhet në sy
dhe e kthen në perlë ëndrre.
Nga qetësia e saj marr forcë,
nga shikimi i saj marr guxim,
ajo më shtyn të ec përpara,
edhe kur rruga ka rreziqe.
Hëna më ndriçon
jo vetëm natën,
por edhe realitetin tim,
që të mos humbas kurrë dritën.
Dhe në çdo natë që vjen,
ajo rri mbi mua si mike e përhershme,
asnjëherë s’më tradhton,
asnjëherë s’më lë vetëm.
Në heshtjen e saj
gjej paqe,
në dritën e saj
gjej shpëtim.