Çaste poetike me poeten;-Principesa SOFIA

Nënë e uritur, por e ngopur me dashuri

————————————————

I mblodha ç’kisha,

thërrime jete,

copëza djersë e mundi,

dhe u ngrita.

I çova fëmijëve të mi,

që mos t’u mungonte asgjë,

që të mos e ndjenin kurrë

atë uri që ma grryente zemrën.

Në tryezë vura ç’gjeta,

i shikoja tek hanin me etje,

me sy që ndizeshin si yje

kur shijonin kafshatat e ngrohta.

Ah, sa e ëmbël ishte ajo pamje!

Atëherë unë ndihesha e ngopur,

ndihesha e plotë,

se barku im nuk kishte më rëndësi,

kur shpirti im ushqehej

me qetësinë e tyre.

“Hajde, nënë, ulu e ha edhe ti!”

më thanë ata,

me zëra engjëjsh.

Por unë buzëqesha si gur i thyer:

“Hani, bij, hani,

se nënë e ngrënë jam…”

Ç’t’u thosha vallë?

Që në gojë nuk kisha asnjë kafshatë?

Që stomaku im bërtiste urie,

por unë e shurdhoja,

nga dashuria për ju?

Më ftuan pastaj:

“Hajde, nënë, të dalim diku,

të hamë një darkë,

të kënaqesh edhe ti,

se mbete gjithmonë në shtëpi.”

Unë tundja kokën,

jo, bijtë e mi…

Nëna nuk ha dot,

kur zemra e saj është e ngopur

me gazin tuaj.

Kur ju jeni të qetë,

atëherë unë jam e plotë.

U ndava prej jush,

u ktheva në heshtjen time,

në atë shtëpi të zhveshur,

ku muret i dinin të gjitha

sekretet e mia.

Vetëm Zoti ishte dëshmitar

i urisë sime të pathënë.

Një kore të thatë gjeta,

e kafshova me lot,

e rashë mbi shtrat,

duke shtirur sikur flija.

Por gjumi më kishte braktisur,

siç braktisja unë

veten time çdo ditë.

Ah, sa dhembka fëmija!

Sa therëse është fjala e tij,

kur nuk kupton,

kur s’e di,

se sa thellë i do nëna.

Në errësirë pyesja veten:

Po sikur ta dinin një ditë,

a do më thonin fjalë të rënda?

A do të më shihnin me përçmim,

si gruan e lodhur,

si nënën që nuk bëri mrekulli?

Por unë s’kam frikë nga varfëria,

as nga uria,

as nga sakrifica që më ka rrjepur.

Unë kam frikë vetëm nga një gjë:

që ata të mos e kuptojnë kurrë

se unë dhashë shpirtin,

vetëm që ata të jetonin.

Dhe po të iki një ditë nga kjo botë,

do iki me bark bosh,

por me shpirt të ngopur

nga dashuria e pamasë

që nuk u tret kurrë brenda meje.

Sikur ta di femija sa vuan .

edhe sa shume e do nena,sdo

guxonte kurr ti thosh asaj fjale te renda

/QendraPress/