Çaste poetike me poeten;-Nita BARDHI

Trupi i natës
———————
Sytë e bufit
e shikuan trupin e natës
nga koka te këmbët.
Gërshetëzës ëndrra-thurrur
i falën pak jetë
nga liqeni ku shihte veten hëna-
premtim përfytyrimi,
nga hëna me yje të mesnatës përreth-
premtim heshtjeje,
nga yjet e mesnatës që
këndojnë hymnin kozmik para agimit-
premtim hyjnor,
nga agimi ku retë ikin në
fërfëllim të erës së kohës-
premtim rimishërimi
nga retë që boshatisin udhët e dritës-
premtim i udhëtimit që s’mbaron
nga drita, frymëmarrje e kohës-
premtim i përjetësisë që atëherë e sot.
Vetëm të nesërmen,
të nesërmen nuk ia premtuan dot.
/QendraPress/