Çaste poetike me poeten;- Blertë Tmava VESELAJ

ME SYTË E SHPIRTIT
———————————–
Fjalët dalin me shpejtësinë e dritës
Me shpejtësinë e plumbit plagosin zemrat
Plagët mbyllën, por shenjat mbetën
Të paharruara në rrjedhat e jetës.
Lëndon kush dhimbjen se ka provuar
Se të lënduarit dhimbjet lehtësojnë
Me sytë e shpirtit lexojnë të shkuarën
Plagën e zemrës nuk e trazojnë.
Beson ai që besë ka
Dhe i pabesi kurrë besë nuk zë
Atë qe e di për veti
Mendon të tjerët e bëjnë atë.
Veç sytë e shpirtit shohin të vërtetën
Dhe pse shpesh e hidhur është ajo
Kush ka mbajtur me gënjeshtra veten
Ditët e bukura nuk i ka parë.
Që të shohë shpirti s’i duhen sy
Të lexon brenda pa vështirësi
Pak dashuri, kjo i mjafton
Me sytë e shpirtit botën lexon.
/QendraPress/