Çaste poetike me poeten;- Principesa SOFIA

Dhimbjen e Hedh në Letër…

—————————————-

Dhimbjen e hedh në letër,

jo për ta harruar,

por për ta lënë të gjallë,

të marrë frymë në vargje,

që bota të mësojë

se edhe plagët bëhen poezi.

E nxjerr jashtë,

që të mos më gërryejë brenda,

që të mos më kalbë shpirtin si zjarr i fshehur.

E derdh në rreshta të gjatë,

si lumë që s’pranon digë,

si stuhi që nuk e mban dot qielli.

Gëzimet?

Ah, gëzimet i mbaj për vete.

I fsheh thellë, në zemër,

si thesare që duart e liga s’duhet t’i prekin.

Sepse bota, kur i sheh,

ose i prish, ose i djeg.

Ndaj unë qesh me vete në heshtje,

ruaj buzëqeshjet si perlë,

të ndritshme, të paprekura.

Por dhimbjen…

dhimbjen e shndërroj në thikë letre,

e ngulis mbi vargje,

dhe ia nis si dhuratë

atyre që guxuan të më shkelin,

atyre që menduan se do të më bënin hi.

Le ta hapin letrën!

Le të dridhen kur të lexojnë vargjet e mia,

sepse çdo fjalë është pasqyrë e tyre,

çdo rresht u tregon fytyrën e vërtetë,

të shëmtuar, të pangopur, të zbrazët.

Më privuan lirinë,

më çuan në skaj të humnerës,

m’u përpoqën të më thyenin,

por harruan një gjë:

se unë jam nënë!

Në trupin tim kam rritur jetë,

në shpirtin tim kam strehë dashuri,

që asnjë furtunë nuk e shuan.

Unë vdes… dhe ringjallem,

bie… dhe ngrihem prapë,

nuk dorëzohem kurrë.

Sepse dhimbjen që më dhanë,

e kthej në forcë,

sepse helm që më hodhën,

unë e kthej në poezi.

Shpirti mund të më rëndohet,

por krenarinë time –

askush nuk ma merr.

Nuk do t’ua jap kurrë atë kënaqësi,

as atyre që më gjykuan,

as atyre që më shkelën,

as atyre që më panë të vetme.

Dhimbjen e hedh në letër…

dhe letra bëhet armë.

Dhe poezia ime –

mallkim për ata që deshën të më shohin të thyer,

bekim për ata që dinë të lexojnë

shpirtin tim të gjallë.

Unë jam unë.

Një grua që nuk përkulet,

një nënë që nuk dorëzohet,

një shpirt që, edhe kur derdhet në vargje,

qëndron më i fortë se kurrë.

/QendraPress/