Çaste poetike me poeten:-Valbona HADRI

Monolog me vetën

——————————-

Një ditë i thashë vetës: “Rebelohu!”

Kundërshto, pa arsye,

me guxim prej gruaje vetëm për tu ndjerë se je e gjallë

.Pêrditshmëritë janê gjithmonë tê bezdisshme

Dhe e bëra.

Një mike e imja kalonte urën me qetësinë e

 zakonshme të mëngjeseve, e unë, pa arsye,

e lashë të kalojë pa përshëndetje, pa buzëqeshje.

Në sytë e saj pashë habi, pastaj dhembje.

Ajo heshti, por heshtja e saj më foli më shumë se çdo qortim:

“Nuk e njoh kështu këtë njeri,” dukej se më thoshte në heshtje.

Atëherë kuptova se ndonjëherë,

 fjala e pashprehur ndëshkon më shumë se fjalët e thëna.

Më vonë, kur jeta më vuri përballë një tjetër situate,

 vendosa të jem e kundërta — një engjëll në vendin ku duhej ndoshta të heshtja.

Zgjata dorën aty ku s’kishte nevojë, dhashë ngrohtësi aty ku mungonte mirënjohja.

Por sërish, u ndava e përbuzur.

Mirësia ime u keqkuptua, u pa si dobësi, si marrëzi.

Si dritë që ndriçon në vend të gabuar.

Eca gjatë me kokën ulur, me shpirtin e mbushur me pyetje.

Analizova të dy skajet e vetës sime: rebelimin dhe përulësinë.

Asnjëri s’më përkonte.

Të dy më lanë bosh, si dy hije që më rrethojnë pa më njohur.

Në thellësi ndjeva një tronditje — jo trupore, por shpirtërore.

Ishte shenjë se diçka brenda meje

po kundërshtonte atë që po bëhesha. Pastaj qava.

O Zot i madhërishëm , qava me zë,

deri sa lotët m’u bënë si mure që s’më linin të dëgjoja botën.

Një rënqethje më përshkoi trupin —

si një zë hyjnor që më përplaste përballë së vërtetës.

Atëherë thashë:

Unë s’duhet të bëj diçka që s’jam. Duhet të jem ajo që jam —

me dritën dhe errësirën time, me forcën dhe brishtësinë time.

Sepse liria ime nuk qëndron në rebelim dhe as në përulje —

por në qëndrimin tim të ndershëm përballë vetës.

Unë s’dua të jem e përsosur, dua të jem e vërtetë.

Edhe kur kjo më kushton me heshtje, me ftohtësi, apo me keqkuptim.

Dhe kështu, nën dritën e zbehtë të ndërgjegjes,

bëra paqe me Vetën time.

E lashë të flasë zemrën — pa frikë, pa maskë —

sepse vetëm ajo di rrugën drejt qetësisë së shpirtit tim.

Forca e njeriut qëndron te vetja jo te

maska që provon ndonjëherë t’ia mvesh vetës.

/QendraPress/