Fryma poetike e së mërkurës me poetin:- Nexhbedin BASHA

Buzëqeshja e munguar

_____________________________________

E dija, do të më kthehej buzëqeshja,

si dielli humbur në mjegull që s’gjen qetësi,

E prisja të dielën e harruar, si vjeshta,

Një zog i bardhë i vonuar mbi supe rri.

Në netët e ftohta, i grisa retë me dhëmbë,

por ato më mbështollën me heshtje akulli,

dhe një varg e fsheha nën mëngë,

E mbajta si gjalmën që e rruan Orakulli.

Në netët me hënë u grinda me yjet,

i thava retë me frymën time,

në ankthin e pritjes më çeli agimi,

Si një lule me aromë bliri.

E diela nuk më solli ftohtësinë,

por nurin që drithëron zemrën qelibar,

një pëllumb I bardhë fluturon vonuar,

dhe zbret mbi supet e tua si në përrallë.

Tani, që hijet s’më ndjekin më,

fle qetësisht, si dikur,

luaj me zogjtë në ahishte,

dhe buzëqeshja ime ka tjetër nur.

/QendraPress/