Diaspora dhe Atdheu – një trup, një frymë-.;-Shkruan;Gëzim AJGERAJ.shkrimtar e analistë

Në rrjedhën e historisë, çdo shoqëri përballet me pyetjen se kush e mban barrën e atdheut: ata që qëndrojnë në vend apo ata që largohen për t’i dhënë vetes dhe familjes një mundësi tjetër, por që kurrë nuk e humbin lidhjen me tokën e origjinës.

– Në rastin e Kosovës, diaspora nuk është thjesht një trup i shpërndarë nëpër botë; ajo është një pjesë organike e kombit, një zgjatim i zemrës që rreh përtej kufijve gjeografikë.

– Është paradoksale dhe njëkohësisht e dhimbshme kur politika përpiqet ta ndajë atë që natyra e historisë e ka bashkuar.

– Të kërkosh t’i japësh zë ndarjes midis njerëzve që i përkasin të njëjtit truall është një akt miopie politike – një prekje e verbër mbi një plagë që kërkon shërim, jo ripërçarje. Në thelb, çdo tentativë për të përdorur diasporën si vegël, si parullë apo si mjet për interesa të çastit është mohim i një të vërtete më të thellë: se atdheu nuk është pronë e partive politike, por e njerëzve që e duan, e mbajnë gjallë dhe e mbrojnë, pavarësisht se ku jetojnë.

– Diaspora ka parë, ka dëgjuar dhe ka mësuar shumë. Ajo e njeh fort mirë çmimin e lirisë, të punës, të mundit, të sakrificës.

– E njohim më mirë se kushdo dështimin e sistemit që i detyroi të largohen dhe, pikërisht për këtë arsye, kemi një vizion shpesh më të kthjellët se ata që mbeten të ngujuar në realitetin e përditshëm politik.

– Të tentosh t’i japësh asaj një imazh të ulët, të krijosh një ndarje artificiale midis “këtu” dhe “aty” është të mohosh gjithçka që ky popull ka ndërtuar bashkë.

– Filozofia e bashkësisë na mëson se një shoqëri që humbet besimin te vetja, te ideja se është një trup i vetëm, nis të shpërbëhet nga brenda.

– Prandaj thirrja për maturi politike dhe shoqërore është një thirrje për të ruajtur unitetin shpirtëror të kombit.

– Politikanët duhet të kujtojnë se roli i tyre nuk është të krijojnë hije mbi atë që shkëlqen, por të ndriçojnë atë që ka nevojë për udhëzim.

– Diaspora nuk kërkon privilegje dhe as duartrokitje. Ajo kërkon vetëm respektin që meriton – respektin që buron nga njohja e kontributit, nga barazia në dinjitet dhe nga pranimi se identiteti kombëtar nuk këputet me largimin fizik.

– Në fund, filozofia e këtij reflektimi është e thjeshtë:

– Kosova është e të gjithëve – e atyre që rrinë, e atyre që ikin dhe e atyre që kthehen. Kush përpiqet ta ndajë, e ndan veten nga e vërteta.

2025/QendraPress/