Çaste poetike me poetin;-Faruk TASHOLLI

ORA ME AKREPA TË THYER
Në kujtim të miqve të mi, poetëve boemë,
Mirko Gashit, Tahir Deskut dhe Nehat S.
Hoxhes
———————————
Në rrugën poshtë Katedrales së Prishtinës
Artistët e lodhur i ka zënë gjumi
Me ballin e mbështetur në cepa tavolinash
Vëzhguesit policorë kot e bjerrën ditën
Duke dëgjuar tingëllimën e fjalëve të largëta
Për Pjetër Bogdanin a për zogjtë e Stimfalisë
Kafenetë janë varrosur e kujtimet krejt zbehur
E letrat e zhubravitura në qiellin plot ëndrra
Fluturojnë si zogj të trazuar
Me shpirtin e derdhur fjalëve pa rend
Hajde ta çojmë nga një për fundin e gëzuar
Të tjerët ikën me disiplinë pedante
Teksa lanë anash patrulluat e lodhura
Që presin gatitu të vjellin zjarr prej tytash
U bë vonë e ndër qepalla gravohet
Ora me akrepa të thyer
Është kohë pushtimi apo fillimi i rënies
Së atyre që erdhën me helmeta të rënda
Për ta shkelur qelqin e këngës së boemëve
Jashtë po bie borë e rrugët janë zbrazët
Ngricat e harresës tashmë e mbuluan një stinë
Gëzuar se fundi do të jetë i gëzuar
Edhe nëse bulojmë si lulet e dhembjes
Në rrugën poshtë Katedrales së Prishtinës
Brenda kopertinave të kujtesës është mbyllur një jetë
Plot zjarmi plot duf plot etje plot angështi
Gëzuar se fundi do të jetë i gëzuar
Së paku jetën ta bëjmë poezi
/QendraPress/