Diversiteti etnik, kulturor dhe gjuhësor duhet të trajtohet si një faktor që pasuron sistemin e drejtësisë e jo si pengesë për funksionimin e tij. -Shkruanë:-Agnesa Thaçi KUREJSHI

“Barazia para ligjit fillon aty ku çdo qytetar dëgjohet dhe kuptohet në gjuhën e vet.” Një nga aspektet më të ndjeshme praktike është realizimi i të drejtave gjuhësore në procedura gjyqësore. Prania e komuniteteve të ndryshme etnike e bën përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe atyre në përdorim zyrtar një çështje thelbësore për zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe administrative. Sigurimi i përkthimit dhe interpretimit të saktë, të paanshëm dhe profesional nuk përbën një element formal, por një komponent themelor të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Çdo mangësi në këtë drejtim mund të ndikojë drejtpërdrejt në ushtrimin efektiv të të drejtës për mbrojtje, në barazinë e palëve në procedurë dhe në ligjshmërinë e vendimmarrjes gjyqësore. Meqenëse qyteti i Prizrenit përbën një hapësirë shoqërore dhe institucionale me rëndësi të veçantë të karakterizuar nga një diversitet i theksuar etnik, kulturor dhe gjuhësor, ky pluralizëm i rrënjosur thellë në zhvillimet historike dhe shoqërore të rajonit, përfaqëson një pasuri të rëndësishme për shoqërinë kosovare, por njëkohësisht imponon kërkesa të shtuara për funksionimin efektiv dhe të drejtë të institucioneve publike, veçanërisht atyre të sistemit të drejtësisë. Në një kontekst të tillë, garantimi i barazisë para ligjit nuk është vetëm një detyrim kushtetues, por edhe një proces kompleks që kërkon qasje të strukturuar, kapacitete profesionale dhe respekt rigoroz të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Respektimi i të drejtave procedurale të të gjitha palëve, pa dallim përkatësie etnike apo gjuhësore përbën një parim themelor të shtetit të së drejtës. E drejta për t’u informuar në mënyrë të plotë, për të marrë pjesë aktive në procedurë dhe për t’u dëgjuar në gjuhën e kuptueshme për palën janë elemente të panegociueshme të drejtësisë në mënyrë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse. Në mungesë të zbatimit konsekuent të këtyre standardeve, rrezikohet jo vetëm cenimi i të drejtave individuale, por edhe erozioni i besimit publik në institucionet e drejtësisë. Për më tepër, administrimi efektiv i drejtësisë në një mjedis multietnik kërkon ndjeshmëri të lartë kulturore dhe profesionale nga ana e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe administrative. Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës duhet të posedojnë njohuri dhe kompetenca që u mundësojnë të kuptojnë kontekstin social dhe kulturor të palëve duke garantuar paanshmëri, objektivitet dhe respekt të dinjitetit njerëzor. Në këtë drejtim, trajnimet e vazhdueshme profesionale dhe politikat institucionale për promovimin e diversitetit përbëjnë mekanizma thelbësorë për forcimin e cilësisë së drejtësisë. Në përfundim, specifikat e rajonit të Prizrenit kërkojnë një qasje sistematike dhe të mirëkoordinuar për garantimin e barazisë para ligjit. Diversiteti etnik, kulturor dhe gjuhësor duhet të trajtohet si një faktor që pasuron sistemin e drejtësisë, e jo si pengesë për funksionimin e tij. Vetëm përmes sigurimit të përkthimit adekuat, respektimit rigoroz të të drejtave procedurale dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale e institucionale, mund të ndërtohet një drejtësi gjithëpërfshirëse, jo-diskriminuese dhe në përputhje me parimet themelore të shtetit të së drejtës./QendraPress/