Çaste poetike me poeten;- Mimoza Maria AJDHONI

FRYMA, POEZI QE NUK SHKRUHET…

———————————————-

Ti je si fryma që marr,

veçse je si fllad i lehtë,

zëri i “po-së” në altar,

të jemi bashkë një jetë!

Je hapi që rrugën s’di,

je agimi në mëngjes,

flakë që lind në dashuri,

malli që s’më lë pa shpresë!

Je fjala që s’e thashë kurrë,

nëpër natë, një dritë e fshehur,

loti që digjet si furrë,

vera që më mban të dehur!

Në çdo yll je pasqyrim,

në çdo fjalë, një frymë e re,

melodi pa përfundim,

vetëtimë pa rrufe!

Drita nëpër net pa hënë,

zjarri që ndizet e s’shuhet,

si ëndërr më vjen pa thënë,

o poezia që s’shkruhet!

/QendraPress