Çaste poetike me poeten:- Blerina BEHARI

HAKMARRJE
————————
Njerëz të lyer e përlyer,
me duar që zgjaten
dhe preknin fytyrat,
vërtiten në errësirë
të padukshëm si vemje.
Etur për hakmarrje,
heshtur si vdekja që më pas i pret,
shqyer hienash.
S’kanë jetë as vdekje
në sy.
Të ftohtë, hermetikë,
si gjarpërinj tinzarë,
lëvizin.
Robotë të betuar
me vdekjen e lirisë.
Viktima ftuese në koktejle
të helmatisura,
tërheqje drejt hiçit
që ha në një pjatë
maskerinësh.
Lumenjtë vërshojnë gjithandej,
në përskuqje përmbytjesh
të egos jashtëtokësore;
skelete të djegura,
pastaj shkrumbosur.
Makth, absurditet…
djegie figurash.
/QendraPress/