Kërkohet paraburgim për dy persona për marrje dhe dhënie të ryshfetit

Prizren, 23 Dhjetor 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 par.1, dhe ndaj të pandehurit B.C. (shtetas serb), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422 par.1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, nga neni 140 par. 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri A.K., me datë 22.12.2025, rreth orës 08:10min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe i veshur me uniformë zyrtare i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë nga Policia e Kosovës, për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar me veturën e tij ilegalisht kufirin bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren.
Me këto veprime, A.K., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” ndërkaq B.C., ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./njoftonZyra për Komunikim Publik në ZKPSH
Prokuroria Themelore Prizren