Gjendet pa shenja jete një grua në Lubinjë të Epërme, rasti po hetohet nga policia

Një ngjarje e rëndë është regjistruar të martën paradite në fshatin Lubinjë e Epërme, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 11:45, Stacioni Policor në Prizren ka pranuar njoftim për një person pa shenja jete.

Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se viktima, D.S., rreth 47-vjeçare, ndodhej e pajetë në banesën e saj.

Dëshmitari në këtë rast ka deklaruar se viktima ishte e sëmurë dhe se më herët ishte kërkuar ndihma mjekësore. Njësia e emergjencës, pasi ka arritur në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se trupi i viktimës ishte pa shenja jete, gjë që është konfirmuar edhe nga mjeku përgjegjës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Prizrenit, Hetimet Rajonale si dhe është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet lidhur me rrethanat e vdekjes janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente.