Poezi festive në ndërrim motmotesh me poetin.-Sami MULAJ

MEDALJET E VYSHKURA

( ….turr e vrap pas medaljeve e çmimeve…)

——————————

Gardhet e rrëzuara

zogjtë kanë ikë,

shtëpi të vjetra,

dyer e dritare shkyer.

Blloqe të mykura,

konspekte të verdha,

germa fshirë

në marimangë raftesh thyer.

Avlitë,

me tesha të vjetra n‘qyshke

plot harrna e kopsa zboresh,

kapuça vullnetarësh me yll,

të djegura e të shkyeme hedhur nga era,

kundërmojnë kalbësirë.

Oborret me hapat e shekujve avulluar

përtej deteve e oqeaneve,

heshtur rrinë.

Kujtimet gumëzhojnë në ëndrra,

valët e celularëve

qiellin e kanë nxirë,

në oborre

lloj lloj barishtesh, brushtullash e

lulesh të trembura kanë mbirë.

Për të nesërmen

a kështu nis lavdia,…

Vetëm kujtime,

flamur i shpalosur në valle,

medalje të vyshkura,

në qafë të kërrusura,

si zilet e shurdhta

në qafë të rjepura dhishë.

/QendraPress/