Çaste poetike me poeten:-Mirishahe ELSHANI

ENGJËLLI I VDEKJES

———————————-

Kur erdhi, çuditërisht sillesha

si me një të panjohur.

Nga një herë më dukej

sikur të ishte një i njohur.

— Unë kam ardhur për të gjallët e mi.

Çfarë mërzie ke ti?

Ç’ta ka mbuluar fytyrën

me perden e zezë?

— Jo, i thashë duke belbëzuar.

Vinin njerëz

dhe e shkarkonin terrin.

Vinin njerëz këtu

dhe e linin ftohtësinë.

Jam i zbrazët me vetveten.

Vetmia e varrit

m’i ka kalbur mushkëritë.

Nuk e di si bisedon një i gjallë

me Engjëllin e Vdekjes,

por një gjë e di:

terri i tyre ma ka grirë zemrën,

vërbimi i tyre

ma ka shëmtuar jetën.

U përmallova tepër

dhe ia plasa vajit.

Dënesjet e mia

i frikësuan edhe muret e shtëpisë.

Gjithçka më dukej

se i përkiste mistikës,

gjithçka më dukej

si një këngë balade.

Kur i hapa sytë,

shihja pamje të errëta,

shija pamje të çuditshme

dhe të ftohta.

Shpëtimin e kërkoja

diku përtej jetës.

Heshtja e ftohtë

ra mbi mua.

Ngadalë pëshpërita:

si të duash,

Engjëlli i Vdekjes.

/QendraPress/