Fryma poetike e së dielës me poeten;-Ganimete JAKUPI

ATË DITË ME BORË…

——————————–

Atë ditë me borë po të prisja në heshtje,

Me acar në shpirt e shpresë në gji,

Ora më lodhi, e koha më dehu,

Duke të pritur, shpirti në gjysmë seç m’u thy.

Të prita derisa drita zbardhi errësirën,

Asnjë hap në dëborë, as zë, as shenjë,

Telefoni i heshtur më rëndonte frikën,

Pyetjet më ranë mbi zemër si peng.

Premtimet i theve si xham në të ftohtë,

Një nga një ranë pa zë,

Velloja mbeti e bardhë, e ngrirë në lot,

Për një dasmë që ëndërronim kahmot.

Dasma që ëndërruam u tret në mjegull,

Këngët u shuan pa u kënduar,

Atë ditë të bardhë u shkrua një rregull:

Pa ty, zemra ime mbeti e dënuar.

Sepse në borën e bardhë u vulos fati im i zi,

Një pritje e kotë, një dashuri e vrarë,

Atë ditë me borë mbaroi “ne”, mbaroi “ti”,

Dhe unë mbeta vetëm… me dimrin përkrah.

/QendraPress/