Çaste poetike me poeten;-Blertë Tmava VESELAJ

HARKU I VIOLINËS

——————————–

Të ftohtit shponte zemrat si shigjeta,

Avujt e frymëmarrjeve vizatonin figura në ajër.

Një zë vinte nga larg si shpresë e netëve të vona,

Kur as qirinjtë nuk mbanin më dritë.

Pranë dritareve antike ai zë,

Ishte hark violine që ngjiste notat në qiell.

Asgjë s’e ndalonte, këndonte e këndonte,

As të ftohtin nuk e ndiente  shpresa ishte aty.

Sa pak duhej të gëzohej.

Nga dritarja e vogël ajo të afrohej,

Si notë që kërkon harkun e saj.

Mjaftonte një shikim në gjithë atë acar,

Harku i violinës të bëhej diell i artë.

/QendraPress/