Çaste poetike me poetin: Ragip GJOSHI

N’PEJË U POQA N’HAXHI ZEKËN
————————–
Kushtuar 127 vjetorit të Kuvendit të Pejës
1/
Në Pejë ,atje te Gryka me shkrepa
Ku veç trima përkundën në djepa
U bashkuan krenë, trima e dijetar
Lidhën Besa-Besë si burrat e motit
Sikur n’Motin e Madh të Kastriotit.
Atë mot,kur Gryka përbiroi histori
Në çdo cep Atdheu deri n’Toskëri
Si rrufe e si plumb shkrepi haberi
Grishi trimat Haxhi Zekë Berberi.
N’Kuvend t’Pejës, foli ai zë bilbili
U lidhën duar me zemër Besa-Besë
Kujt i thotë shpirti për liri të vdesë
U betuan,bijë t’zgjedhur-fis Kastriot
Këtu, u lëshu zë,vendit m’i dalë zot!
Isë Boletini kur ishte ngritë në këmbë
Flakë e prush nxjerrë-gacë me dhëmb
Për tokë t’parëve,Besa-Besë me qëndru
Për Atdhe le të rrjedhë gjaku porsi përru
Hedhet ngryk Haxhi Zekës,e ka shtërngu
Këtyre fjalëve t’trimit,urtaku fort iu gëzu
Nagantit Kuvendit i ka dhënë flakë e dritë
Besa-Besë,të gjithë bashkë nga kjo ditë…!
Robërinë e Sulltanit me shemb n’themel
Kosova s’ka djemë për osmanli-për bedel!
Bashkë të gjithë për liri,e për këto kreshta
Në çdo cep Shqipërie,me trimat çeta-çeta
Zog shqiponje,n’ballë printe Haxhi Zeka.
Urtakun se ndali burgu as Stambolla
Kudo,Plavë e Guci iu dëgju grykëholla
Si qiriri shkrihej burri për liri,për shkolla
Haxhi trimi,dijetar,bëmirës dhe luftëtar
Emri i tij i shquar besimtar e guximtar
Emri i tij n’ballë çlirimi nëpër Histori
Nuk e fshiu as shpirtshituri Adem Zajmi
Zeka nuk la djem,por la plot trashëgëmi
La veprën epike,legjendare,vendit pasuri…
2.
Besa virtyt e shkollë e lashtë ,
e lartë zakonore
Me rrënjë historike,nga Iliria n’trojet arbërore
Peshë e fjalës së dhenë,u bë më rëndë se toka
Për fjalën e moçme, për Besë shkonte koka!
Besa e Haxhi Zekës,besë deri në vesh t’zotit
Ky trim në Kosovë erdhi si hije e Kastriotit
Ky urtak u bë zemërvigani më i urtë i motit
Ai n’Kullë guri,prore sofrën shtruar e mban
Ai trimlinduri,që digjej e shkrihej për vatan…
Ai burrë ishte për log trimash e për kuvend
Shembëlltyrë e matur,n’shekuj mbahet mend
Në çdo rrudhë balli kishte paluar plot dituri
Në damarë i rridhnin veç rreze dielli për liri
Gojëtar me nam,gërshetnte Epokat n’Histori
Besa-Besë:Për Atdhe la peng dhe kokën e tij…!
Para një shekull e një çerek,do vendime epike
Ndër kuvendime u morën besëlidhje historike
Besa-Besë s’lejojnë t’copëtohen trojet etnike
Kongresin e Berlinit,e shembi dhe rrëzoi Peja
Besa-Besë u nisën trimat në do udhë të reja…
3. N’Kuvend fjalë t’urta iu pikonte zemra
Merren ngrykë do burra trima me emra
Ra Ora e atdheut,për Besë e për do fjalë
Si feniksi Haxhi Zeka në shallë t’bardhë Besës,
Kuvendit e trimave iu rri në ballë
Ai s’kurseu grosh,plumb e bëri çdo fjalë
I dëgroi letër në Stamboll Babës
Mbret I thërret me u tret,boll 500 vjet hyzmet!
N’Kullë t’Haxhi Zeka,ku ishte gjyshi plak
Ku priste e përcillte stinët,e motet ky urtak
N’shesh e poça me Haxhiun n’bronz-urtia
N’Universitet,atje ku shkrihet urtia e dija
Qëndrova sot,ku koha blunte dije e barot
Ku dikur flatronin korbat,kurrë më ai mot
Se këtu kreshtat plisbardha janë bërë me zot!
Sot u poça n’ Haxhi Zekën,si mysafir n’konak
Kulla e Haxhiut,larë n’gjak,kurrë nuk u mplak!
Plaket poeti kokëbardhë n’Kullë poezie me gurë
E Haxhi Zeka,ikonë historie,ai s’plaket kurrë…
Pejë,më 23 janar 2026
Poshtëshënim: Këto vargje i hodha në letër dy vite më heret ,
në përvjetorin e 125 të Kuvendit të Pejës (23-29 janar 1899),
kur u themelua Lidhja Shqiptare të Pejës,ku u zgjodh
Haxhi Zeka,kryetar i Komitetit të saj.
/QendraPress/