Çaste poetike me poeten;-Valbona R. HADRI

Heshtja që vret

—————————-

Kur nënës i mungon përgjigjja e frytit të saj

ajo shndërrohet në një pemë me degë të thara;

mbi të nuk ulen zogj,

por korba të plakur.

Kur nënës i mungon prania e frytit të saj,

dita vdes para mbrëmjes,

ndërsa nata hap portat

për të strehuar pikëllimet.

Mendimet mbeten pa varr,

ndërsa hijet dhunojnë shpresat e gjalla.

Kur nëna qan për mungesën e frytit të saj,

zhurma e hapave të lotëve

dridh malet;

Një botë e tërë përmbyset

nga pesha e lotëve të shenjtë.

Ah, kur nëna nuk bëzan , mê!

/QendraPress/