Çaste poetike me poeten;-Rudina Muharremi BEJA

DIALOG
—————–
A e dini ç’peshë ka një dialog?
Është pasqyra më e bukur e mendimit,
aty ku secili lë të vërtetën e vet
pa frikë nga dyshimi.
Nga një bisedë e tillë askush s’del i humbur;
aty etja për të vërtetën merr frymë,
rrugët hapen drejt qetësisë së kërkuar,
jo drejt heshtjes së rëndë
plot hidhërim.
Ka njerëz që grindjen e kanë zakon,
ndaj, jo çdo dialog lulëzon.
Këndi i vështrimit të tyre nuk lëviz,
urat e paqes prishin me dorë të ftohtë.
Mirsjellja juaj mund t’u duket dobësi,
empatia juaj mund t’u ngjajë marrëzi.
Por mungesa e tyre është katastrofë e vërtetë,
zi është mbi çdo zemër, vetëm zi.
/QendraPress/