Fryma poetike e së dielës me poeten:-Linda FANA

Mesjeta në fjalë, e sotmja në veprim
———————————————–
Flisni për zinxhirë të harruar,
për hijet që ende nuk guxojnë të shohin dritën.
Gratë kanë çelësa në duar,
por ju akoma mblidhni gurët e kështjellës suaj.
Ju shikoni instinkte të vjetra,
ndërsa vetë qëndroni në kohë të ngrirë.
Fjala juaj kërcen si shpatë pa skaj,
por zemra juaj nuk di të fluturojë lirisht.
A është liria e tyre peng i së kaluarës,
apo e juaja është akoma e varur nga mesjeta?
Para se të mësoni të tjerët,
pyetni veten: a jeni gati të dilni nga hijet tuaja
/QendraPress/