Çaste poetike me poeten:-Zyrafete MANAJ

Ah Çamëri motër
—————————–
Ah Çameri, motër, plagë që s’u mbyll kurrë,
me emrin tënd qan historia në heshtje.
Tokë e lënë jetimë, me pragje pa zëra,
ku hapat u shuan, por shpirti s’u dorzua.
Në djepet e braktisura mbeti kënga pezull,
era ia mëson fëmijëve emrat e humbur.
Nënat me sy nga prapa, me lot të ngrirë,
mbajtën Çamërinë në gji, si amanet të shenjtë.
Shtëpitë u dogjën, por jo kujtesa,
gjuha u ndoq, por nuk u vra.
Në çdo mërgimtar u rrit një rrënjë e fshehtë,
që tokën e mohuar e thërret nënë.
Ah Çameri, motër, dhimbje që flet shqip,
me gurë varresh pa emra e pa kryq.
Drejtësia vonon, por e vërteta rri zgjuar,
si dritë e pashuar në sytë e një populli.
Një ditë, emri yt do të thuhet pa frikë,
si lutje, si këngë, si kthim.
Deri atëherë, të mbajmë në varg e në zemër,
Çamëri motër, plagë, dhe shpresë.
/QendraPress/