Çaste poetike me poeten:-Barie ÇUPI

Dekretet e shpirtit

—————————–

Më mori malli për kopshtet e mia,

për zogun gushkuq,mbi degën e mollës,

për lotin që ende ujit jaseminë,

për amanetet që ia lash vetëm luleborës.

Një shkretëtirë ankthi rri në zemrën time,

m’u thyen ëndrrat,m’u kthyen në muranë,

një mjegull më përqas,diçka të harroj,

me kohën përbotshëm,jetoj e jam gjall.

Nën gjethe zambaku,vesonin veç libra,

mbolla dritë n’errësirë,natës së pabesë,

tentakula njerëzish,m’u sollën si radar,

pasqyrë i kam si akuj,ngrirë në kujtesë.

Më mori malli për kopshtet e mia,

çdo gjurmë aty,ka diçka për të thënë,

fjalët e çdo fundi,janë dekrete shpirti,

e din gur e mur,fryma ku m’ka rënë.

Më mori malli,për sa ferra që largoja,

për ngjyrat dhe aromat e kopshtit tim,

trëndafilat do të flasin,ditën e gjykimit,

njeriu njeriut,se ç’i thur nuk e din.

/QendraPress/