Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

PARA LETRËS SË BARDHË
———————————
Për ty që mbart mendjen
si një dorë që ndriçon galaktikat
e një biblioteke të pafund,
në heshtjen e fletëve të pashkruara,
a egziston një rregull që mund të zbërthejë
rezonancat e shpirtit?
Ti sheh rrugën e librit,
si një lumë i padukshëm
që rrjedh nga rrënojat e kujtimeve,
nga copëza të fshehta kohe
dhe gërmadha të ëndrrave,
nga dhimbjet që fshehin urtësi të harruar
dhe heshtjet që flasin më shumë se fjalët.
Askush nuk ka lindur i ditur,
askush nuk ka pirë dijen,
nga burimet e qiellit;
vetëm puna e heshtur,
meditimi i brendshëm
djeg me qetësi,
gurët e errët të mundësive.
Tregimi, poezia, romani, çdo fjalë e hedhur
është një shkallë në labirintin e pafundësisë,
dhe libri që lind nga duart e tua
është vetëm reflektimi i një rrugëtimi
që e ka kaluar kohën.
Parapërgatitja është një ritual i fshehtë,
një vallëzim midis hijeve dhe dritës së ideve,
ku çdo rrugë e shtrembër,
çdo kthesë e harruar,
është një yll që pret të ndriçojë
në faqen e bardhë.
Arti i shkrimit nuk pyet për emra,
profesione, apo privilegje;
ai lind nga një nevojë qiellore, nga dëshira,
për të bërë të dukshme oqeanet e mendimit
që rrjedhin brenda çdo trupit,
si lumë i heshtur,
që enden në dhoma të fshehta të imagjinatës.
Lexuesi, nuk lexon vetëm fjalët;
ai, ndjen jehonën e shpirtit tënd,
prekësinë e mendjes që përpiqet
të kapë universin, e të fshehtave
në një faqe të vetme,
të bëjë kohën të ndalet,
për një moment të përjetshëm.
Dhe kështu, para se të shkruash,
para se të hedhësh, fjalën e parë,
mendo për rrugëtimin,
për heshtjet dhe dritën,
për kohën që ka përthithur
mundësitë e pafundme,
që një mendje e vetmuar të flasë në heshtje,
dhe një libër, të lindë si një univers i ri,
plot yje dhe galaktika të fshehura,
brenda fletëve të tij.
/QendraPress/