Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Migel FLOR

Guxo të jesh zëri yt

——————————–

Guxo.

Jo për t’u përballur me botën,

por për të mos tradhtuar veten.

Brenda teje ka një zë

që nuk njeh frikë,

që nuk përkulet para rehative të rreme,

dëgjoje.

Ai është e vetmja e vërtetë që s’të braktis.

Mos ec vetëm për të treguar forcë.

Forca është të dish

kë e mban pranë.

Ata që të respektojnë, mbaji.

Aty lind dinjiteti.

Aty edhe vdes, nëse e shkel.

Rri larg buzëqeshjeve që nuk zgjedhin anë.

Ata që janë mirë me të gjithë,

nuk janë kurrë vërtet me ty.

Janë hijet më të buta,

por edhe më të rrezikshme.

Mos u mashtro nga fjalët e ëmbla në heshtje,

kur në dritë nuk kanë zë për ty.

Lavdërimi në fshehtësi

është frikë e veshur bukur.

Mos fal mungesën e qëndrimit.

Prania nuk është afërsi,

është guxim.

Dhe guximi shfaqet vetëm

kur bëhet e vështirë.

Qëndro zonjë.

Mos u përkul për të qetësuar zhurmën e atyre

që nuk dinë të ngrihen.

Le të lehin,

zëri yt nuk ua merr dorën.

Mos u ndal.

Edhe kur duan të të bëjnë pluhur,

kujto:

pluhuri ngrihet vetëm kur ka erë,

dhe ti je ajo erë.

Bëhu dritë.

Jo të gjithë do ta durojnë,

por ata që janë për ty,

do ta njohin menjëherë.

Unë nuk kam frikë të ndiej,

as të them.

Nuk garoj.

Nuk krahasohem.

Jam aty ku më takon,

me fjalën time,

me heshtjen time,

me respektin që zgjedh.

Dhe kjo…mjafton.

QendraPress/