Çaste poetike me poeten;-Albina CEKA

KOHA JONË
—————————–
Ndërkohë që koha jonë vdes,
qajmë, varrosim një nga një dashuritë,
kohës ia përpushim zjarret pa kujdes…
prapë nisim nga e para, si gomari pa veshë.
Ndërkohë që koha jonë vdes…
përpëlitet realiteti njerëzor,
përpiqet të ndërrojë ves,
t’i thajë rrënjët gjenocidit mizor.
Ndërkohë që shpirti rilind,
frenat s’i lëshon i paudhi,
gati-gati dhe tokën e bind,
se para tij, patkonjtë vetë i vesh kali.
Ndërkohë që koha jonë vdes,
i paudhi krijon sete, grupe,
“ujkun me petkun e deles e vesh”,
në kurthin e tyre turma brohoret.
Ndërkohë që koha jonë vdes…
qielli inatoset, i mbyll kufijtë,
njeriu përpëlitet, shuhet në thes,
fluturon shpirti sërish në univers.
/QendraPress/