Çaste poetike me poetin;-Luan MEMA

Në Gjurmët e Rrënjëve të Tua
————————————–
Dashurinë e babait e ndjeva sot,
sot që jam dhe unë baba.
Një fjalë e vetme mjafton të më thotë,
dhe gjithçka më çon tek ty, ku derdh lot.
Lotin e ndal, të them disa fjalë:
ty këtu në shpirt të kam, ta dish!
Sa vite kanë kaluar, s’të kam parë sërish…
Fytyrën tënde, zërin tënd që më ndrit.
Si dikur, në kohë të shkuar, kujtoj sot,
kur pranë vatrës këshilla më thoshe:
“Burrë do të bëhesh, o biri im, mot e mot,
nderin tënd ruaje, në çdo kohë që do të vijë.”
Në ëndërr më vjen, më flet përsëri,
fjalët e tua më thua t’i besoj,
ato më shërbejnë edhe kur ndiej dhimbje,
por njerëzimin drejt ta gjykoj.
Eh, sa doja sot të të gjeja në pritje,
nga gjumi lodhur të të puthja unë,
ballin e rrudhur që s’ta kam harruar,
si atëherë, kur shkoje çdo ditë në punë.
Shpirtit tënd të qetë falje i kam kërkuar,
mes dhimbjesh e brengash kur syri më loton,
kur kujtoj djersën tënde që çurk kullonte,
dhe bukën që sillje — e thatë, por më shijonte.
Ç’meritë ke për mua, baba, në këtë jetë,
fjalët e tua ishin besim pa anë,
më dërgove në fakultet nga kasollja e qetë,
që jetën ta shihja më nga pranë.
Dashuria ime për ty, baba, më prek,
e njoh mundin tënd plot vlerë.
Brenga, zemra dhe heshtja vetë
s’do t’i harrojnë të mirat kurrë e përherë.
Të mbeti emri krenar mbi tokë,
më thonë shpesh se të ngjaj ty,
drejtësinë për nder e mbaj në kokë,
drita jote më dha këtë jetë që jam sot.
Sot që shkruaj, ndihem i plotë si burrë,
gërmat më burojnë nga thellësia e shpirtit,
me një ndjesi të re që më shoqëron,
se ti, baba, më shfaqesh si dritë e përjetshme.
Luan Mema, 19.03.2026
/QendraPress/