Shpërthim në oborrin e një shtëpie në Prizren, policia jep detaje.

Një shpërthim i dyshuar me granatë dore ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në Prizren, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por pa persona të lënduar. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar më 16 qershor 2026, rreth orës 3:30, në rrugën “Brigada 128”.
“Me datën 16.06.2026, rreth orës 03:30, Policia është njoftuar për një shpërthim në rrugën ‘Brigada 128’ në Prizren, i cili kishte shkaktuar zhurmë të madhe”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas tij, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët.
“Ankuesit dhe dëshmitarët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve. Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.
“Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore”, ka njoftuar Bytyqi.