Çaste poetike me vargjet brilante te poetit;-Gëzim AJGERAJ

NGA KRONIKA E IKJES

———————————-

Na kërkoi një ikje që shekuj më parë na kishin pritur,

si një derë e hapur në një shtëpi që koha e kishte harruar,

na gjeti natën, nën qiellin e nxirë ballkanik,

ku edhe yjet dukeshin si plagë të qepura mbi terr.

Mblodhi ëndrrat tona dhe i theu pas nesh,

si kristale të një pasqyre që nuk njihte më fytyrat tona,

çdo copëz mbajti nga një kujtim,

por asnjëra nuk e mbajti dot njeriun e plotë.

S’la këngë ndër lisa, as përshëndetje në pragje,

vetëm një heshtje mbeti varur në degët e vjetra,

si një zog që kishte harruar emrin e qiellit.

E futi të djeshmen në një thes pa fund,

erën e bukës, duart e nënës,

zërat e mbrëmjeve që ende ruhen nëpër mure,

dhe një fëmijëri që nuk dinte, se ishte duke u bërë kujtim.

Shumëkujt nuk i dha kohë për një lamtumirë,

disa ikën para se të kuptonin se po largoheshin,

dhe dera që mbyllën pas vetes, mbeti hapur vetëm në kujtesë.

Një mal me ëndrra u dogj në një çast,

por zjarri nuk ndriçoi, u bë hi mbi hartën e shpirtit,

dhe era e shpërndau, aty ku askush nuk kishte më një emër.

Këngët e pakënduara për lirinë, mbetën gurë në fytin e brezave,

ndërsa idealit, në buzë të fundit, i mbeti amaneti i të parëve,

mos e humb tokën, kur bota të mësojë, si të jetosh pa të.

Pastaj morëm rrugën, dhe rruga, çuditërisht,

nuk shkonte askund.

Sa më larg vendlindjes, aq më shumë ajo zinte vend brenda nesh,

derisa një ditë kuptuam, se nuk po udhëtonim nëpër botë,

por nëpër një dhomë të fshehtë të vetes, ku askush tjetër nuk kishte çelës.

Që atëherë, çdo kthim, na gjente pak më të huaj.

Muret ishin aty, lisat ishin aty,

rruga mbante ende gjurmët e këmbëve tona,

vetëm koha kishte ndërruar pronarin e shtëpisë.

Dhe ndoshta kjo është ikja, jo të largohesh nga vendi,

por të zgjohesh një mëngjes, dhe të kuptosh

se vendi ka filluar të largohet prej teje.

Atëherë mbetet vetëm pyetja,

e vogël sa një pikë në fund të një shekulli;

Kush iku?

Ne nga atdheu, apo atdheu nga ne?

Dhe përgjigjja, diku në fund të kujtesës,

vazhdon të ecë.

Pa kthyer kokën.

2026

/QendraPress/