Çaste poetike me poetin:-Sami MULAJ

LIBRI IM I JETËS
—————————–
Mëngjese diellore
e netë dritë e hije hënore,
germa si në fjalën e shkruar
rrinë në parathënjen e tij.
I pa shkruar,
faqet janë të bardha,
disa të pastra borë,
pena e bojës e derdhur
ka njollosur ndonjë.
Diku ndonjë fjalë
si me kurriz breshke
e shkruar gabim,
ndonjë tjetër
si gjurmë endacaku kembëzbathur,
me gomë fshirë.
Një tjetër faqe,
ah, jo vetëm një,
edhe me shumë të lagura,
lotët aty rigë.
Disa me cepat e thyera,
palosjet ku janë ruajtur shënime
viza kanë lenë…
disa fletë të grisura,
si gjethe vjeshte të verdha kanë renë,
kanë mbetur edhe disa faqe,
krejt pak kanë ngelë…
Libri im i jetës,
një autoportret humbur rrugës,
jo ai vezullues i nisjes,
tani gati të hidhet në zjarr
për tu djegë…
Hiri,
kujtimi i tij i vetëm,
pasthënje
e nata duke renë…
/QendraPress/