KUR RRËNJËT BASHKOJNË KOMBIN, KUFIJTË E ZEMRËS ZHDUKEN:- : Nga Nexhbedin Basha

                   Nënshkrimi i Akt-Marrëveshjes dhe krijimi i Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë – një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të krijuesve shqiptarë dhe forcimit të kulturës sonë kombëtare.  Si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Republikës së Shqipërisë, u informova se më datë 17 tetor 2026, në Prishtinë, u zhvillua një takim ndërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të përfaqësuar nga kryetari i saj, Dr. Mujo Buçpapaj, dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të përfaqësuar nga kryetari i saj, Prof. Dr. Shyqri Galica. Në këtë takim u nënshkrua një Akt-Marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës u hodhën themelet e Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë. Në krye të kësaj strukture të re u zgjodh Dr. Mujo Buçpapaj, ndërsa Prof. Dr. Shyqri Galica u zgjodh nënkryetar. Duke e përshëndetur këtë nismë me rëndësi të veçantë kulturore e kombëtare, dëshiroj të shpreh bindjen se bashkëpunimi ndërmjet krijuesve shqiptarë përtej kufijve shtetërorë është një domosdoshmëri e kohës. Letërsia, arti, gjuha dhe kujtesa historike janë ura që na lidhin dhe na ndihmojnë të ruajmë e të përcjellim vlerat tona kombëtare te brezat që vijnë. Në cilësinë e anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Republikës së Shqipërisë dhe si krijues, uroj përzemërsisht Dr. Mujo Buçpapajn për zgjedhjen Kryetar i Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e kësaj përgjegjësie të rëndësishme kulturore e kombëtare. Uroj gjithashtu Prof. Dr. Shyqri Galicën, Nënkryetar të kësaj Lidhjeje, për një bashkëpunim të frytshëm dhe për realizimin e synimeve të përbashkëta. Shpresoj që, nën drejtimin e tyre, kjo nismë të shndërrohet në një urë të fuqishme bashkimi për shkrimtarët, poetët dhe artistët shqiptarë kudo që jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, trojet e tjera shqiptare dhe diasporë. Një bashkëpunim i tillë duhet të krijojë më shumë mundësi për botime të përbashkëta, veprimtari letrare e artistike, promovimin e autorëve dhe përfaqësimin dinjitoz të kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Për mua, kjo nismë lidhet ngushtë edhe me angazhimin tim krijues për “Kufijtë e zemrës”, të librit që kam në proces botimi. Gjithmonë kam besuar se kufijtë shtetërorë nuk mund t’i ndajnë zemrat, kujtesën dhe identitetin e një kombi. Shqiptarët mund të jetojnë në shtete të ndryshme, por i bashkojnë gjuha, historia, traditat, letërsia dhe rrënjët e tyre të përbashkëta. Jo pa qëllim e titullova vëllimin tim poetik, të sapo botuar në Shtëpinë Botuese “NACIONAL” “Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët”. Në poezitë e këtij libri flasin rrënjët e kombit: atdheu, vendlindja, prindërit, sakrificat e brezave dhe kujtesa historike. Për mua, rrënjët nuk janë vetëm dëshmi e së kaluarës, por edhe themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen. Ato na kujtojnë se kush jemi, nga vijmë dhe çfarë përgjegjësie kemi për ta ruajtur e përcjellë identitetin tonë kombëtar. Prandaj, themelimin e Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë e shoh si një hap domethënës drejt afrimit të krijuesve dhe forcimit të bashkëpunimit kulturor. Bashkimi nuk i zbeh veçoritë e autorëve dhe as traditat e krahinave të ndryshme; përkundrazi, i bën ato pjesë të një mozaiku të pasur kombëtar. Le të dëshmojmë se, përtej çdo kufiri, na bashkojnë gjuha, letërsia, historia dhe rrënjët tona kombëtare. Le të punojmë së bashku që krijimtaria shqiptare të ketë një zë më të fuqishëm, që vlerat tona të njihen më gjerësisht dhe që brezat e rinj ta ndiejnë kulturën kombëtare si një pasuri të përbashkët. Dy shtete, një komb, një kulturë dhe një qëllim i përbashkët: ta bëjmë më të fuqishëm zërin e krijimtarisë shqiptare në botë! Sepse, kur flasin rrënjët, dëgjohet kombi; kur bashkohen krijuesit, forcohet kultura; dhe kur zemrat kapërcejnë kufijtë, bashkimi bëhet vlerë që u përket të gjithë shqiptarëve. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Republikës së Shqipërisë Tiranë.më 21 tetor 2026