A do të heq dorë VV nga kandidimi i sërishëm i Haxhiut për kryeparlamentare? A do të propozojë Shqipe Selimin ose Saranda Bogujevcin që të marrë votat e AAK-së?

Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, i caktuar për në orën 15.00, do të

jetë përpjekja e katërt për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Çështja është se a do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni ligjvënës. A do të heq dorë VV-ja nga kandidimi i sërishëm i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare? A do të propozojë Shqipe Selimin ose Saranda Bogujevcin që të marrë votat e AAK-së?, shkruan Ekonomia Online.

Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të heq dorë nga kandidimi i sërishëm i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, edhe pas dy votimeve të dështuara në vazhdimin  e së shtunës së seancës konstituive, kur nuk mori më shumë se 57 vota, katër më pak se numri i nevojshëm për t’u zgjedhur në këtë post.

Tahiri- PDK për seancën e sotme: S’është në dorën tonë, do të veprojmë njëjtë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh skeptik se Vetëvendsoje mund t6i sigurojë edhe në vahzhdimine sotëm të seancës konstituive.

Ai tha se PDK-ja do të veprojë njëjtë si herat e kaluara.

“Kjo nuk është në dorën tonë. Ne do të veprojmë njëjtë siç kemi vepruar në të dyjat rastet kur është votuar kandidatja për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ajo që pritet të ndodh është nëse kjo parti arrin me pas shumicën me partnerët e koalicionit që pretendon me i pas në këtë rast atëherë normalisht nëse arrin me i pas 61 deputetë do ta zgjedhin këtë çështje dhe do ta kemi kryetaren e re të Kuvendit. Unë jam shumë skeptik duke e parë situatën brenda, duke e parë atmosferën brenda…”, tha Tahiri.

Zogaj- LDK: Do të marrim pjesë në seancë, por qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, bëri të qartë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancë, por nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kandidaturës së propozuar nga VV-ja.

“Po do të marrim pjesë. Qëndrimi ynë deri në ketë moment nuk ka ndryshuar” tha ai shkurtimisht për Front Online, duke lënë të kuptohet se LDK-ja nuk do ta mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Haradinaj–AAK: Shqipe Selimin ose Saranda Bogujevcin do t’i votonim për kryetare të Kuvendit

Të shtunën, pro zgjedhjes së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit kanë votuar  48 deputetë të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.

Por, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmendi të shtunën një opsion që praktikisht do të zhbllokonte përfundimisht konstituimin e plotë të Kuvendit.

“AAK-ja do të votonte për zgjedhjen e Shqipe Selimit ose të Saranda Bogujevcit për kryetare të Kuvendit, po qe se i kandidon Vetëvendosje”, tha Haradinaj.

Sallahu- VV: Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës

Nga ana tjetër, Blerim Sallahu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se e kanë propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, e cila i ka gjithsej 125,327 vota dhe është në pesëshën më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës.

“Presim që legjitimiteti dhe legaliteti të jetësohen në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të parandalohet shkelja e serishme Kushtetutës nga ata që tashmë e kanë shkelur Kushtetutën posa kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës!

Ndryshe, nëse Kuvendi mbahet i bllokuar atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pra, marrëveshje për konstituim dhe shpërndarje të Kuvendit, sepse mungesa e vullnetit opozitar për moskonstituim të Kuvendit nënkupton mospranimm të rezultateve zgjedhore”, tha Sallahu.