A janë telefonat shkaku kryesor i ngecjes së fëmijëve në të folur?

                  Vonesa në të folur te fëmijët është një shqetësim i zakonshëm për shumë prindër dhe mund të shkaktojë pasiguri për zhvillimin e fëmijës. Disa fëmijë fillojnë të flasin më vonë se të tjerët, dhe ky ndryshim mund të jetë për shkak të faktorëve të ndryshëm, përfshirë gjenetikën, mjedisin dhe shëndetin fizik.Por, si mund të dallojmë nëse kjo është një fazë kalimtare apo një shqetësim më serioz?

Logopedia, Luljeta Kabashi, për Arbresh.info tregon shkaqet e vonesave në të folur tek fëmijët.

“Vonesat në zhvillimin e të folurit mund të kenë disa shkaqe, si, dëmtimi në dëgjim, aftësia e kufizuar, vonesa në zhvillimin e përgjithshëm, dy gjuhësia, trashëgimia, faktorët emocional dhe social.”, tregon Kabashi.

Po ashtu, ajo tregon edhe kohën e duhur për shqetësim në lidhje me zhvillimin e të folurit të fëmijës.

“Prindërit duhet menjëherë të kontaktojnë një logoped në momentin kur të shohin që fëmija ka të folur të pazhvilluar, nëse ka vështirësi në moshën shkollore në lexim dhe shkrim, nëse ka belbëzim , në këto raste duhet menjëherë të kontaktohet logopedi, që më pas ai të vlerësoj gjendjen që të marrë hapa për trajtim”, pohon Kabashi.

Kabashi ka folur edhe për rëndësinë e komunikimit me fëmijë dhe kohën kualitative që duhet të kalohet me ta.

“Fëmija ndihmohet në ambientin e shtëpisë, se aty kalon një kohë më të gjatë, dhe është e rëndësishme të inkurajohet për komunikim dhe prindi të jetë një model i mirë për komunikim, dhe një kohë kualitative cilësohet duke i treguar përralla, duke luajtur, dhe duhet të i japin radhën fëmijës të flasë, duhet të ketë mundësin të shprehet pa e korrigjuar dhe pa e përmirësuar por duke i dhënë model”, shprehet ajo.

Përdorimi i tepërt i teknologjisë, sipas saj, është shumë i dëmshëm për trurin e tyre, dhe ndikon në vështirësitë e të folurit.

“Telefonat ndikojnë në masë të madhe, sepse konsumimi i tyre është në masë të madhe, duhet të zvogëlohet përdorimi i tyre, teknologjia duhet të përdoret në situata vetëm kur ai mund të mësoj nga pajisja, por jo të përsërisë në mënyrë të pandërprerë një aktivitet i cili nuk sjell zhvillim të inteligjencës dhe zhvillim emocional ”, pohon Kabashi.

Logopedia tregon si mund të dallohet nëse vështirësitë në të folurin, lidhen me një çështje të thellë, apo janë thjesht një vonesë kalimtare.

“Këtu duhet një ekzaminim i thellë, duhet vërtetuar se a ka bazë dhe a ka ndonjë faktorë rreziku, në qoftëse ka atëherë duhet të trajtohet me një ekip multifunksionar, ndërsa kalimtare mund të jenë disa raste kur fëmija do me i mbërri gjatë procesit të zhvillimit, por duhet të kontaktohet logopedi që të kuptohet se çka po ndodhë”, thotë në fund Kabashi.

Në përfundim, vonesat në të folurit nuk duhet të injorohen, dhe me ndërhyrje të duhur dhe mbështetje të vazhdueshme, shumë fëmijë mund të zhvillojnë aftësi të plota të komunikimit dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë./Qëndresa Luma/Arbresh.info/