Abdixhiku me plan kundër politikave të Qeverisë Kurti për daljen nga kriza, njofton katër takimet e para

                            Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka njoftuar për iniciativën e tij për angazhim mbi partiak për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese, siç e quan ai kundër politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj.Lideri i LDK-së ka njoftuar se nga e mërkura do të nis katër takimet e para.“Nga e mërkurja, do të organizojmë katër takimeve të para; dhe atë me: Opinionistë e gazetarë; Organizata të shoqërisë civile; Profesorë universitarë e ish diplomatë dhe Biznese nga sektori privat në vend”, ka thënë Abdixhiku. Sipas tij, këtë iniciatizë ai e ka marrë që në javën e kaluar me qëllim të nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror për një rrugë të re për Republikën e Kosovës.“Javën e shkuar kam shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë”, ka thënë Abdixhiku.Ai ka thënë se ka ftuar për angazhim të përbashkët, ata që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës.“Jam i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës. Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”, ka shkruar ai.Ai ka thënë se në këto katër takime do të jepen propozime për dalje nga kriza.“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror. Kosova mundet më mirë. Kosova meriton më shumë”, ka thënë Abdixhiku.