Afrimi  Serbi-Hungari, mbi linja nacionaliste dhe euro-skeptike, tendencë pë një blloku pro-rus në Evropë –Shkruan;Gjeneral -Hisen BERISHA

           Formimi i një aleance ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi, ku presidenti Aleksandar Vuçiq pretendon se një iniciativë e tillë shkel Marrëveshjen e Armëve të Firences të vitit 1996. Kjo marrëveshje, e nënshkruar mes Kroacisë, RFJ-së dhe Bosnje-Hercegovinës, synonte të rregullonte balancën ushtarake pas luftërave të viteve ‘90. Po ti referohemi investimeve në armatosje të Serbisë atëherë ajo marrëvrshje është tejkaluar ngase e para nuk ekziston RFJ dhe e dyta, Serbia është shndërruar në hexhemon ushtarak në rajon dhe faktor destabiliteti e rreziku për shtetet fqinje. Megjithatë, sot, Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s dhe Kosova aspiron të bëhet pjesë e aleancës, prandaj çdo bashkëpunim mes tyre është i natyrshëm dhe legjitim. Pretendimet e Vuçiqit janë një përpjekje për të manipuluar opinionin publik, duke e paraqitur Serbinë si viktimë të një rrethimi të supozuar nga fqinjët. Në realitet, bashkëpunimi mes tre shteteve synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, duke u integruar në strukturat euro-atlantike. Kjo nuk është një aleancë për kërcënim ndaj ndonjë vendi, por një hap për të siguruar paqen dhe mbrojtjen ndaj sfidave të sigurisë që paraqiten nga aktorë destabilizues. Në këtë drejtim, Serbia, në vend që të kërkojë të minojë këtë bashkëpunim, duhet të rishqyrtojë politikën e saj dhe të përafrohet me perëndimin, nëse synon paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Për të kundërshtuar këtë zhvillim, Vuçiq po promovon idenë e një aleance me Hungarinë e Viktor Orbanit, një lëvizje që duket më shumë një manovër politike sesa një projekt real ushtarak. Hungaria është anëtare e NATO-s dhe çdo marrëveshje e saj me Serbinë duhet të respektojë detyrimet e saj ndaj aleancës veri-atlantike. Megjithatë, një afrim i tillë Serbi-Hungari, i bazuar mbi linja nacionaliste dhe euro-skeptike, mund të sinjalizojë një rritje të tendencave për ndarje brenda BE-së dhe përforcimin e një blloku pro-rus në Evropë. Në këtë situatë, Kosova duhet të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe NATO-n, duke mos rënë në provokime dhe duke vazhduar të konsolidojë partneritetet strategjike që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit dhe rajonit./QendraPress.com/