“Albin, mos e lë Albulenën në baltë”, Haradinaj thotë se deputetët janë peng të Kurtit

             Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar ashpër pas dështimit për herë të 21-të të konstituimit të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për bllokim të qëllimshëm të vendit dhe kapje të deputetëve.

Në një postim në rrjete sociale, Haradinaj tha se “kjo gjendje është e papranueshme dhe shumë e dëmshme për vendin”.

Haradinaj shtoi se pas çdo seance të dështuar po bëhet më e qartë se “deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat”.

Ai i bëri thirrje të drejtpërdrejtë deputetes Albulena Haxhiu dhe të gjithë deputetëve të VV-së që të kërkojnë nga Albin Kurti të njëjtat vota që janë siguruar për pozitën e kryeministrit, të përdoren edhe për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit.

“I bëj thirrje deputetes Albulena Haxhiu, por edhe gjithë deputetëve të VV-së, që të reflektojnë dhe t’i kërkojnë Albin Kurtit numrat e tij, që janë siguruar për Kryeministër, 61+, ashtu siç po deklarojnë, edhe t’i ofrojë të njëjtit edhe për votimin e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos lejohet vazhdimi i bllokimit të vendit. Si mund të kuptohet sigurimi i numrave për Albin Kurtin e jo edhe për Albulena Haxhiun?”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje u shpreh “Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj”.

Haradinaj e sfidoi Kurtin që nëse nuk ka besim në kandidaturën e Haxhiut, “atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë”. /Telegrafi/