Anton Çuni,ish komandant  i Betejës së Koshares  rikujton Heroin Agim Ramadani -AGIMI QË NDRITË GJITHMONË –

Në prillin e lotëve, të dhimbjeve por edhe të triumfeve të mëdha, kujtojmë rënien heroike të Agim Ramadanit, komandantit të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroit të Kosovës.

26 vjet qëkur Ai ra për të mos vdekur kurrë! Siç pati emrin, ashtu mbeti: dritë mbi tokën e Kosovës e popullit të vet!

Mik e bashkëluftëtar besnik, prijës e strateg i pashoq; patriot i palëkundur, luftëtar i paepur e trim sypatrembur deri në frymën e fundit. Ky ishte Agimi, si njeri! Kurse Agimi si mbinjeri, ishte poet, ishte piktor. Sa e sa herë shkroi vargje për vendin e për lirinë e shumë kërkuar, sa e sa herë ju dha formë mendimeve e ndjesive të veta. Njeri shumëdimensional, i pakrahasueshëm, i pazëvendësueshëm!

Sot nderojmë figurën e Tij, nderojmë e kujtojmë veprën heroike, flijimin për lirinë e Kosovës e mirëqenien e popullit të saj! Nderojmë secilin martir e dëshmor Kombi që në orët më të errëta të vendit, ata u bënë dritë për të!

Lavdi Heroit Agim Ramadani, u kujtoftë përjetë jeta dhe vepra e Tij!

Pushoftë në paqen e pasosur!