Arrestohen katër “pelegrinë” serb në Gjakovë – mes tyre një toger dhe një kapiten i ushtrisë së Serbisë

Dëgjo këtë artikull tani…Arrestohen katër “pelegrinë” serb në Gjakovë – mes tyre një toger dhe një kapiten i ushtrisë së Serbisë
Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje me kërkesë të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Sipas njoftimit për media kërkesa për këtë mbledhje erdhi si rezultat i ndërhyrjeve kriminale nga ana e Serbisë,
Në njoftim u bë e ditur se mbrëmë në Gjakovë janë arrestuar katër pelegrinë serb, mes tyre një toger i policisë serbe dhe një kapiten i ushtrisë serbe.
“U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje.
Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në njoftim.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Kosovës theksuan se ndërhyrjet e Serbisë janë shtuar se po tentohet të shkaktohen tensione etnike dhe ndërpartiake në Kosovë, me qëllim destabilizimin e vendit.
Telegrafi ka kontaktuar edhe me policinë e Kosovës në Gjakovë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/