“Autodafeja” e Dimal Bashës/ Shkruan; Bislim ELSHANI

Kam pasë shkruar në vitin 1981 një poezi, e cila mund të jetë zhdukur dikund nëpër dosjet e UDB-ës ne Prizren, që titullohej „Autodafeja“ dhe që fliste për një intelektual kosovar, që ndryshe nga viktimat e inkuizicionit mesjetar, ndëshkimi i të cilëve realizohej publikisht prej inkuizitorëve të Kishës, ndëshkimin ia shqipton vetvetes duke e djegur ndërgjegjen vetjake në turrën imagjinare të druve, me qëllim që nga e nesërmja të bëhej shërbëtor besnik i pushtetit.
Dimal Basha me siguri mund të ketë pasur një dilemë dhe një “autodafe” të tillë kur ia kanë prezantuar bashkë-autoren shoviniste që e prezantonte luftën e UÇK-së si një luftë të financuar nga krimi i organizuar. Ai nuk ishte i ri dhe i papjekur – i lindur me 1979, ai në atë kohë ishte së paku 32-vjeç. Pohimi i tij se nuk ka gisht në analizën e zonjës Arsovska nuk e justifikon dhe nuk është kurrfarë alibie. Vetë bashkë-autorësia me një “studiuese” të tillë është një pakt me djallin. Përfitimi nga ky pakt mund të ishte futja tinëzare brenda elitës politike globale.
Akuzat për financim të UÇK-së nga trafikimi i drogës për të parën herë kanë dalë nga goja e Millosheviqit, me qëllim të komprometimit të pasqyrës së pastër të luftës së UÇK-së. Nuk është se nuk patën ndikim këto akuza, sepse pati ndodhur që asokohe fondet e LPK-së dhe UÇK-së të viheshin nën mbikëqyrje nga organet e ndjekjes në Gjermani e Zvicër. E vërteta është se nuk kishin zbuluar as edhe një provë të vetme për “inkriminime” të tilla. Edhe unë vetë kam pasur një episod kur prokurori i shtetit zviceran më pati marrë në pyetje si kryeredaktor të ZIK-ut. Njëri nga interesimet e tij ishte edhe funksionimi i fondit “Vendlindja thërret”. Them “inkriminime” në thonjëza, sepse luftërat çlirimtare nuk është se humbin nga vlera morale edhe po u shërbyen ndonjëherë me financime të tilla të dyshimta në rast se gëzojnë mbështetjen e të fuqishmëve të botës. Kështu psh. lufta çlirimtare afgane kundër pushtuesve sovjetikë në masë të madhe financohej nga tregtimi i drogës, pasi afganët morën dritën jeshile prej amerikanëve, të cilët kësisoj shmangnin investimet vetjake duke kursyer buxhetin vetjak gjatë përkrahjes së kësaj lufte. Natyrisht që një gjë e tillë nuk do të vlente edhe për ne, shqiptarët, sepse që nga fillimi ishim nën thjerrëzën e dyshimit se mos po rrëshqisnim në akte kriminale, qoftë gjatë ushtrimit të luftës në terren, në Kosovë, qoftë në financimin e saj. Në të dyja aspektet lufta e LPK-së/UÇK-së mbeti e pastër si loti, gjë që pati si rezultat ndryshimin e perceptimit nga diplomacitë perëndimore që hoqën dorë nga cilësimi i saj si terroriste duke nisur ta cilësojnë si luftë të rregullt çlirimtare.
E keqja e rastit të Dimal Bashës janë reagimet e vonuara, qoftë edhe të atij që vetëm tani u kujtua të nxirrte para publikut veprën “shkencore” të “studiuesit” nga viti 2012. Dorëheqja e tanishme e Liburn Aliut gjithashtu nuk duket aspak dinjitoze, sepse automatikisht tërheq pyetjen: Ku ishe më herët, përpara se Dimal Basha të futej në listën e kandidatëve për deputet? Përse Dimal Basha si deputet do të ishte më pak problematik se sa si kryetar Kuvendi?/Marrë nga FB/Trasmeton/QendraPress/
Top of Form
Bottom of Form