Bajrami e publikon ligjin për qeverinë pasi Kurti dhe ministrat s’dhanë dorëheqje

Bajrami e publikon ligjin për qeverinë pasi Kurti dhe ministrat s’dhanë dorëheqje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas Ligjit për Qeverinë, anëtarët e kabinetit qeveritar që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje nga pozitat ekzekutive para certifikimit të rezultateve, pasi ata marrin automatikisht mandatin parlamentar në momentin e certifikimit dhe nuk mund të mbajnë njëkohësisht postin qeveritar.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim të bërë pak minuta më parë, ka deklaruar se nuk ka nevojë për dorëheqje, duke argumentuar se Qeveria tashmë ka kaluar automatikisht në një qeveri në detyrë.

Kundër kësaj deklarate ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka ngritur pyetjen mbi përputhshmërinë ligjore të këtij interpretimi.

Ajo ka theksuar se sipas Nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, një anëtar i kabinetit qeveritar që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti ekzekutiv para certifikimit të rezultateve.

“Albin Kurti po thotë se nuk ka nevojë të japin dorëheqje, duke u thirrur në Nenin 29 të Ligjit për Qeverinë. Por, çka ndodh me Nenin 26, ku thuhet qartë se një ministër që bëhet deputet duhet të dorëhiqet para certifikimit të rezultateve?”, ka shkruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka ironizuar edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke e thirrur me frazën “Alo Albulenë”, në shenjë kritikë për heshtjen e saj në lidhje me këtë çështje.